image Babë e bir bënin shitblerjen e drogës, vlera e heroinës që u gjet në shtëpinë e tyre në Prizren mbi 16 mijë euro

Siguri

Babë e bir bënin shitblerjen e drogës, vlera e heroinës që u gjet në shtëpinë e tyre në Prizren mbi 16 mijë euro

news image

Aksioni ‘Fermeri’ i zhvilluar dje nga Njësiti i Antidrogës në Prizren rezultoi me sekuestrimin e një sasie të substancës heroinë dhe arrestimin e dy personave, babë e bir, që dyshohen për shitblerje dhe shpërndarje të substancave të tilla. Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për këtë aksion, për të cilin hetimet kanë nisur që disa muaj dhe rezultuan me zbulimin e të dyshuarve.

Ndaj Albert (babai) dhe Valon (djali) Domgjonit, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit, si të dyshuar për veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Vlera e sasisë së drogës që u gjet në shtëpinë e tyre, siç mëson Sinjali kap vlerën e mbi 16 mijë eurove.

“Lidhur me rastin të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren- Departamenti i Krimeve të Rënda, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, kundër A.D., dhe V.D., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” nga neni 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Sinjalin.

315965894 668848621313832 6431667699609692891 n
Valoni (djali) në të majtë dhe Alberti (babai) në të djathtë

Dy të dyshuarit u kapën pasi Antidroga zbarkoi në shtëpinë e tyre, në fshatin Shpenadi të Prizrenit, ku edhe u gjet droga dhe prova të tjera. Gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet tjera në pronësi të tyre, që u krye nga disa njësi policore, janë gjetur qese me substanca narkotike të llojit heroinë, marihuanë, kapsula të ndryshme dhe telefona, që janë sekuestruar si dëshmi për rastin.

Pranga iu janë vënë menjëherë dy të dyshuarve dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor, ku pas intervistimit janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/