image AUV dhe Policia mbyllën një lokal dhe gjobitën 30 tjera për shkelje të masave antiCOVID

Siguri

AUV dhe Policia mbyllën një lokal dhe gjobitën 30 tjera për shkelje të masave antiCOVID

news image

Inspektorati i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së bashku me Policinë e Kosovës, kanë zhvilluar mbrëmë një aksion në Prishtinë dhe Ferizaj për mbikëqyrje të zbatimit të masave antiCOVID, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, i cili ka bërë të ditur se janë shqiptuar 30 gjoba juridike për lokalet që nuk kanë respektuar masat antiCOVID.

“Mbrëmë në Prishtinë dhe Ferizaj Inspektorati Sanitar i AUV-it bashkë me Policinë e Kosovës ka zhvilluar kontrolle për mbikëqyrje të zbatimit të masave antiCOVID sipas Vendimit të Qeverisë 01/07. Grupet inspektuese kanë realizuar frekuencë të lartë të inspektimeve, nga të cilat janë shqiptuar 30 gjoba juridike për lokalet të cilat nuk kanë krijuar kushtet për respektim të masave antiCOVID”, ka thënë Thaçi për Sinjalin.

Po ashtu, ai bëri të ditur se një lokal është mbyllur në Prishtinë si dhe janë shqiptuar disa gjoba për personat fizik të cilët kanë shkelur orarin e lëvizjes.

“Një lokal është mbyllur në Prishtinë me afat të pa caktuar. Po ashtu janë shqiptuar edhe disa gjoba për persona fizik të cilët kanë shkelur orarin e lëvizjes. Kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në tërë territorin e Kosovës. Bizneset dhe qytetarët të tregojnë kujdes në respektim të masave. Asnjë shkelës nuk do të tolerohet”, shtoi më tej ai./Gazeta Sinjali/