Mbi 400 mijë qytetarë gjatë vitit nderuan dëshmorët e familjes Jashari. Numër më i vogël i vizitorëve është parë këtë 28 nëntor në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe për këtë ciceroni Xhevat Imeri thotë se ka ndikuar edhe moti i ftohtë.
Edhe këtë përvjetor, Kullat e Jasharëve mbesin në gjendje të rëndë. Qytetarët nga Kosova thonë se kjo është mjerim, ndërkohë u bëjnë thirrje institucioneve që të mos lejojnë shembjen e kullave.
Tash e 22 vjet, Xhevat Imeri është ciceron në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Ai prezanton historinë e kësaj familje para vizitorëve të të gjithë botës.
“Rreth 14 milionë vizitorë e kanë vizituar, por ky mund të jetë numër më i madh, sepse nuk e kemi një statistikë që tregon një realitet. Por, në bazë të supozimeve, mund të them që është numër më i madh se aq që mund të themi. Ndërsa, gjatë këtij viti i kemi 400 mijë vizitorë, jo vetëm shqiptarë por edhe nga arena ndërkombëtare për të ardhur të vizituar dhe respektuar këtë vend”, thotë Imeri.
Megjithatë, për këtë përvjetor të ditëlindjes së Adem Jasharit dhe pavarësisë së Shqipërisë, pati më pak vizitorë.
“Është koha e cila e bën të vetën. Unë kam pasur fatin të jem të dielën e kaluar, mund të them se diku mbi 24 mijë persona kanë qenë. Sepse koha po e bën të vetën, kur është kohë e mirë, njerëzit marrin fëmijët dhe të moshuarit e sot ndoshta i penalizon koha”, shton ai.
Për çdo 28 nëntor dhe festë tjetër, bashkë me familjarë veshin uniformën e ushtarëve të UÇK-së. Islam Krasniqi thotë se Prekazi është vend heroik dhe shumë i rëndësishëm për historinë e Kosovës.
“Për neve është shumë domethënëse ky vend që të paktën të rinjtë tanë t’i motivojmë dhe të dimë se çka është vlera e ushtrisë, vlera e shtetit dhe të forcohemi bashkarisht”, shprehet ai.
Ai shprehet i zhgënjyer me gjendjen e kullave në Prekaz.
“Kur zbritem thash në fillim qenka dëmtuar shumë. Shpresojmë që do të ndërmarrin diçka qeveritarët dhe të vendosin diçka se kjo duhet të rregullohet mirë, sepse është vlerë e madhe”, shprehet tutje.
Ali Zija ka ardhur nga Tetova për të nderuar sakrificën e dëshmorëve të familjes Jashari.
“Prej Tetovës të vizitojmë kullën e Adem Jasharit… më e madhe nuk ka ku të shkoj, vlera më e fortë”, thotë ai.
Edhe për Xhemil Huguliqin nga Kaçaniku, ky vend është i shenjtë. Në Prekazin heroik ai thekson se është mjerim gjendja e kullave.
“Këtu ja dimë vlerën kësaj lirie. Çdo shqiptar duhet të vizitojë së paku një herë në vit këtë vend. Marrë parasysh çfarë sakrifice ka bërë kjo familje e shenjtë… është në gjendje e mjerueshme, është mjerim me pa kështu”, thekson ai për KosovaPress.
Përmes një vendimi qeveritar, në vitin 2019 ishte planifikuar konservimi i Kullave të Jasharëve.
Sot shqiptarët festojnë 109 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. 28 nëntori shënon edhe 24 vjetorin e daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e Adem Jasharit./GazetaSinjali/