Keqpërdorimet e pozitës zyrtare për fat të keq janë shndërruar në një dukuri të zakonshme në Kosovë, sepse konflikti i interesit, dhënia dhe marrja e ryshfetit për disa prej atyre që po kryejnë këto vepra penale nuk përbëjnë veprime të ndaluara e të gabuara, shkruan Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali mëson se më datë 27 dhjetor 2018, rreth orës 22:40, një shtetas i Shqipërisë kishte tentuar të futej dy herë brenda një dite në Kosovë pa mjet të identifikimit, por një gjë e tillë nuk i është mundësuar nga zyrtarët doganorë në Pikën Kufitare në Vërmicë.
Mirëpo, siç bëjnë të ditur burimet e Gazetës Sinjali, i dyshuari pas dështimit për herë të dytë që të hyjë në territorin e Kosovës, ai tentoi që t’ia japë 40 euro zyrtarit policor në formë të ryshfetit.
Burimet e Gazetës Sinjali njoftojnë se i dyshuari ka rënë në prangat e policisë dhe pas intervistimit, me rekomandim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Veprat penale të marrjes dhe dhënies së ryshfetit kryhen pothuajse në baza ditore, mirëpo këto veprime jo vetëm që janë të gabuara, por për to edhe parashihet një dënim goxha i lartë, deri në 8 vite burgim. /GazetaSinjali