Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të huaj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, për shkak të dyshimit se ka falsifikuar dokumente, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili tha se i arrestuari dyshohet se ka falsifikuar leje qëndrimi të një shteti tjetër.
“Policia e Kosovës, konkretisht Autoritetet e Policisë Kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ sot më 13.9.2021, në orët e paradites gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore për menaxhim dhe kontroll efikas të kufirit kanë ndaluar një person mashkull, shtetas i huaj nën dyshimin për ‘falsifikim të dokumenteve’, i cili bashkë me disa persona tjerë tentonte të udhëtojë për në relacione tjera”, tha Hoxha.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti për “Falsifikim të dokumentit”.
Në konsultim me prokurorin kompetent, Hoxha bëri të ditur se dokumentet e dyshuara si të falsifikuara janë sekuestruar, përderisa personi i dyshuar mashkull është ndaluar për procedura të mëtejme.
Ai tha se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për garantimin e lëvizjes së lirë të të gjithë njerëzve pa dallim ashtu siç e përcakton ligji dhe procedurat, si dhe në të njëjtën kohë duke aplikuar një menaxhim dhe kontroll profesional dhe efikas të kufirit shtetëror në funksion të parandalimit të shkeljeve të proceduarave të parapara me ligjet në fuqi./Gazeta Sinjali/