Një person me inicialet N.H., i moshës 33-vjeçare është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, ku i njëjti ishte në kërkim pasi që dy muaj më parë ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndërkohë, i dyshuari sot gjatë arrestimit në fshatin Biçec të Kaçanikut, dyshohet se ka sulmuar dy zyrtarë policorë, pasi që i njëjti është përpjekur të ikë.
Sipas njoftimit të Policisë, 33-vjeçari zyrtarëve policorë iu ka shkaktuar lëndime trupore, ku të njëjtit më pas janë detyruar të marrin edhe tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Ndërkohë, nga plagët e marra tretman mjekësor ka marrë edhe i dyshuari.
Policia të dyshuarin e ka shoqëruar në stacionin policor të Kaçanikut dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.