image Arrestohet kryefamiljari nga Leshani i Pejës, keqtrajtoi dhjetëra herë gruan e vajzën

Siguri

Arrestohet kryefamiljari nga Leshani i Pejës, keqtrajtoi dhjetëra herë gruan e vajzën

news image

Gratë në Kosovë, si viktimat më të shpeshta të dhunës në familje në shumë raste nuk i denoncojnë në Polici bashkëshortët e tyre për dhunën që përjetojnë, për shkak të frikës. Jo rrallëherë raste të tilla të dhunës në familje kanë përfunduar tragjikisht, si pasojë e mosmarrjes së veprimeve të nevojshme edhe nga organet e rendit. Një kërcënim serioz për jetën e kanë përjetuar që një kohë edhe një grua nga fshati Leshan në Pejë, bashkë me vajzën e saj.

Sinjali ka mësuar detaje tronditëse se si nënë e bijë e denoncuan kryefamiljarin pas shumë kohësh përjetime të trishta të dhunës në familje.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se burri i dyshuar A.K., 55-vjeçar ka ushtruar dhunë sistematike ndaj gruas e vajzës, duke u shkaktuar frikë e shqetësim të madh në vazhdimësi.

Për dhjetëra raste të dhunës që pësuan, nëna me vajzën nuk patën guxim ta denoncojnë atë, me shpresën se telashet do të përfundonin. Por siç duket dhuna vetëm sa u shtua dhe rasti i fundit që ndodhi gjatë ditës së sotme, ia vuri pikën.

Në deklaratën e viktimave të dhënë mes lotësh në Polici, është kuptuar se si ato nuk e denoncuan për asnjëherë të vetme babain e burrin deri më sot, kur si pasojë e keqtrajtimit, pësuan lëndime në të gjitha pjesët e trupit, për çka u dërguan në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, ku morën terapi par t’i trajtuar plagët.

Pas marrjes së informatës për këtë rast të trishtë të dhunës në familje, Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.

/GazetaSinjali/