Sali Mustafa, ish-epror i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, është arrestuar sot nga policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, raporton Gazeta Sinjali.
Në një komunikatë për media, Specialja ka konfirmuar se Mustafa është arrestuar në Kosovë dhe po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës.
Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhërarrestimit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në njoftimin e Speciales. /Gazeta Sinjali/