Gazeta Sinjali para disa ditësh raportoi ekskluzivisht për arrestimin e grupit që dyshohet se ka kryer së paku gjashtë grabitje të armatosura. Tre të arrestuarit janë të moshave të reja, të cilët dyshohen se për muaj me radhë kanë terrorizuar shoferët e taksive të ndryshme në Prishtinë, duke i grabitur nën kërcënimin e armës.
Por pa shkuar ende një javë, në prangat e Policisë ka rënë edhe një person tjetër, që dyshohet se ka bashkëvepruar me grupin e arrestuar.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i arrestuari i katërt i përfshirë në rastet e grabitjeve të taksive është kapur sot, në mesditë, në një fshat të Prishtinës.
I njëjti dyshohet se ka bashkëvepruar me dy vëllezërit Fatlind Ajeti, (21-vjeçar) dhe Fezë Ajeti, (20-vjeçar), si dhe Bleard Kadriun, (19-vjeçar), të cilët kanë kryer grabitje të armatosura në periudha të ndryshme.
Pas prangosjes së të dyshuarit të katërt me aktvendim te Prokurorit të Shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje, në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Arrestimi i tre të dyshuarve
‘Sebep’ për kapjen e të dyshuarve u bë rasti i fundit i grabitjes së armatosur, që ndodhi në orët e mesnatës Së 23 majit, pasi një shofer i kompanisë “Hej Taxi” denoncoi në Polici se derisa ka qenë duke operuar me taxi, dy pasagjerë ia kanë grabitur pazarin ditor, telefonat dhe kuletën personale.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë menjëherë në lëvizje dhe kanë arritur t’i ndalojnë të dyshuarit afër parkut Tauk Bahqe në Prishtinë, me ç’rast të njëjtit janë dërguar në stacion policor për t’u përballuar për veprat që dyshohet se i kanë kryer.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit të të dyshuarve, njësia policore ka gjetur edhe dy armë, që të rinjtë i kanë përdorur për t’i kryer grabitjet e armatosura, në vazhdimësi.
Gjatë verifikimit të të dyshuarve, burimet thonë se tre të rinjtë që u arrestuan dyshohen se janë të përfshirë në së paku pesë raste të grabitjeve të taksive, si dhe një rast tjetër i grabitjes së një kompanie (postë e shpejtë), në Prishtinë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.