image Zbulohet grupi që terrorizonte taksitë në Prishtinë, në pranga të Policisë bien tre grabitës

Siguri

Zbulohet grupi që terrorizonte taksitë në Prishtinë, në pranga të Policisë bien tre grabitës

news image

Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë grupin e grabitësve që terrorizonte taksitë në Prishtinë, duke kryer grabitje të armatosura. ‘Sebep’ për kapjen e të dyshuarve u bë rasti i fundit i grabitjes së armatosur, që ndodhi në orët e mesnatës, pasi një shofer i kompanisë “Hej Taxi” denoncoi në Polici se derisa ka qenë duke operuar me taksi, dy pasagjerë ia kanë grabitur pazarin ditor, telefonat dhe kuletën personale.

Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë menjëherë në lëvizje dhe ka arritur t’i ndalojë të dyshuarit afër parkut Tauk Bahqe në Prishtinë, me ç’rast të njëjtit janë dërguar në stacion policor për t’u përballuar për veprat që dyshohet se i kanë kryer.

Bëhet fjalë për të dyshuarit F.A (21-vjeçar), B.K., (19-vjeçar) dhe F.A., (20-vjeçar), (emra të njohur për redaksinë).

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit të të dyshuarve, njësia policore ka gjetur edhe dy armë, që të rinjtë i kanë përdorur për t’i kryer grabitjet e armatosura.

Gjatë verifikimit të të dyshuarve, burimet thonë se tre të rinjtë që u arrestuan dyshohen se janë të përfshirë në së paku pesë raste të grabitjeve të taksive, si dhe një rast tjetër i grabitjes së një kompanie (postë e shpejtë), në Prishtinë.

Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve në kohëzgjatje prej 48 orëve dhe më pas të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.

/GazetaSinjali/