Raportohet se V.B. është personi tjetër i arrestuar nga forcat speciale të Policisë së Kosovës gjatë aksionit të sotëm në veri të vendit.
Thuhet se V.B është djali i eprorit të lartë të policisë në veri, Zheljko Bojiq.
Sipas këtyre burimeve, ai është arrestuar në zyrat e autolarjes së tij në Rudare të Komunës së Zveqanit, ndërsa në posedim i janë gjetur një pistoletë dhe municion.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm policia ka arrestuar edhe hetuesin policor Rade Basara, i cili dyshohet për fshehjen e provave gjatë hetimit të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Këtë informacion e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Mund të konfirmojmë se sot në orët e hershme të mëngjesit, në Veri të Mitrovicës Policia e Kosovës ka realizuar një operacion policor i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes se z. O. Ivanoviq. Ky operacion policor është realizuar në bazë të urdhëresës për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore , Departamenti Special, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi te dyshuar zyrtar policor i nacionalitetit serb ( R. B. ) i përfshirë në urdhër kontroll, përderisa i dyshuari tjetër po ashtu pjesëtar policor mbetet në kërkim.”, tha policia për Gazetën Sinjali.
Gazeta Sinjali mëson se policia është në kërkim edhe të Zheljko Bojiq.