Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme ka arrestuar dy persona të dyshuar për dhunim dhe sulm seksual ndaj dy vajzave, njëra prej të cilave e mitur, në dy raste të ndara, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti i pari ka të bëjë me dhunimin e një të miture në Gjilan, për të cilin u arrestua një i dyshuar i cili, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
“Gjilan, 07.10.2020 15:15. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ndaj viktimës femër kosovare- e mitur. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.
Ndërkaq, i arrestuari i dytë dyshohet se gjatë periudhës shtator – tetor të këtij viti ka dhunuar seksualisht një vajzë, e cila është dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Skënderaj, Mitrovicë, shtator-tetor -2020-NN. Është arrestuar i dyshuari mashkull/kosovar nën dyshimin se i njëjti e ka dhunuar seksualisht viktimën/femër kosovare. Viktima është dërguar në IML, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është ndaluar për 48-orë”, thuhet tutje në raport./Gazeta Sinjali/