image Anulohet konkursi i KEK-ut që dyshohej për dallavere

Kosovë

Anulohet konkursi i KEK-ut që dyshohej për dallavere

news image

Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se është anuluar konkursi që ishte shpallur disa javë më parë, për të cilin dyshohej se kishte dallavere në punësimin e mbi 100 personave.

Sipas njoftimit nga KEK-u, komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit ka rekomanduar që të anulohet procesi duke nisur nga selektimi, rezultatet e testit me shkrim dhe intervistat me gojë për të gjitha pozitat e shpallura dhe për përsëritjen e këtyre fazave për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs.

Në njoftim bëhet e ditur se kishte pasur rreth 230 ankesa për procesin.

“Përtej kësaj, komisioni kishte trajtuar edhe tërë procesin e rekrutimit duke filluar nga selektimi, testimi me shkrim dhe testimi me gojë, duke përfshirë edhe pretendimet publike. Bazuar në të gjeturat, komisioni i pavarur ka dhënë rekomandim për anulimin selektimit, rezultateve të testit me shkrim dhe intervistave me gojë për të gjitha 127 pozitat e shpallura me konkurs, bazuar në të cilin është marrë edhe vendimi i Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës”.

Komisioni i pavarur përbëhej nga një ekspert i pavarur ligjor i angazhuar në projektin e Bashkimit Evropian për reforma në administratën publike, një ekspert i pavarur i proceseve të rekrutimit dhe zyrtari ligjor i KEK-ut.

KEK-u ka thënë se kandidatët e selektuar në fazën e parë do të njoftohen individualisht dhe ata nuk do të kenë nevojë për riaplikim në konkurs.

“KEK siguron opinionin publik dhe të gjithë kandidatët që kanë aplikuar se procesi do të udhëhiqet ne mënyrë transparente, konform ligjeve në fuqi dhe praktikave më të mira. Po ashtu të gjithë kandidatet e selektuar në fazën e parë do të njoftohen individualisht dhe të njëjtit nuk do të kenë nevojë për riaplikim në konkurs”.

Lidhur me rastin më datë 5 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar se ka nisur hetimet në lidhje me punësimet në KEK.

/GazetaSinjali/