Anëtari i kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Fazli Hoxha, ka reaguar ndaj nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci e cila dënoi sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxha tha se nuk po e mbron askënd për sulmin ndaj zëvendëskryeministrit Hoti, por sipas tij, po i vie mirë që Vetëvendosje e ka kuptuar që me vezë nuk bëhet opozitë porse të njëjtën metodë e kanë aplikuar të parët pikërisht partia e Kurtit.
“Pra nuk qenka mirë të gjuash dikë me vezë a? E për ju LVV-në paska qenë mirë atëherë kur gjuanit me vezë sa ishit në opozitë. Po me vjen mirë që tash po e kuptoni se opozita nuk bëhet me vezë por me fakte e argumente. Çka më bë tash këtë shkollë të ve zëve ju e keni qitë në dritë, tash durojeni” shkroi Hoxha.
Nagavci shkroi se të gjuash me vezë nuk të bën në vetvete opozitar dhe opozitarizmi duhet të jetë i bazuar në fakte e argumente, me dhënie të propozimeve e ideve alternative.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është sulmuar dje me vezë afër objektit të Qeverisë së Kosovës.
Arsyeja e sulmit dyshohet se ka të bëj me paralajmërimin për heqjen e taksës ndaj Serbisë.
Policia e Kosovës është vënë në kërkim të personave që e kanë sulmuar me vezë zëvendëskryeministrin Avdullah Hoti./Gazeta Sinjali/