image Alarmuese, gjashtë gra u vranë vetëm gjatë këtij viti

Siguri

Alarmuese, gjashtë gra u vranë vetëm gjatë këtij viti

news image

Për gjashtë muajt e parë të vitit 2020, Policia e Kosovës ka konstatuar që dhuna në familje është rritur për 30% nëse krahasohet me periudhën e njëjtë në vitin 2019.

Shifrat e këtij institucioni tregojnë se gjashtë gra janë vrarë vetëm gjatë vitit 2020. Këtë e ka konfirmuar Erza Kurti, koordinatore kundër Dhunës me Bazë Gjinore, RrGK, për Gazetën Sinjali.

Sipas saj, diskriminimi ndaj grave dhe vajzave në Kosovë është shumë i shprehur dhe kjo më së shpeshti në baza gjinore pasi që gratë diskriminohen në vendin e punës, në familje, në institucione dhe në hapësira të tjera publike.

Në bazë të hulumtimit ‘’Diskriminimi më bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë ” të zhvilluar vitin e kaluar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), arsyja e diskriminimit ndaj grave është për shkak të sterotipizimit të profesioneve që zhvillojnë ato në Kosovë duke qenë të diskriminuara në baza gjinore gjatë procesit të punësimit , gjatë procesit të ngritjes në detyrë, pagës mujore, mohimit të së drejtës për leje të lehonisë dhe ngacmimeve të shpeshta seksuale në vendin e punës.

Erza është shprehur se Rrjeti i Grave të Kosovës në vazhdimësi bashkëpunon me institucionet e vendit duke zhvilluar edhe hulumtime për të parë qasjen e institucioneve ndaj rasteve të diskriminimit të grave.

“Veçanërisht, ne monitorojmë rastet e dhunës në familje dhe reagojmë mbi mënyrën, shpesh herë jo korrekte, të trajtimit të këtyre rasteve nga institucionet. Në përgjithësi, institucionet relevante janë të vetëdijshme për aspektin e trajtimit të barazisë gjinore, sidoqoftë edhe në bazë të hulumtimeve tona del se ato kanë nevojë të vazhdueshme për trajnime mbi këtë temë.”, ka thënë ajo.

Sipas Kurtit, mentaliteti patriarkal ku gratë konsiderohen prona të bashkëshortëve është njëra nga arsyet që ndodhin këto dukuri në Republikën e Kosovës.

“Sipas kësaj mendësie besohet që burrat mund të marrin vendimet për jetën e bashkëshorteve, dhe i ndërhyjnë në të drejtat e tyre është një ndër shkaqet e dhunës në familje dhe vrasjeve ndaj grave. Arsyet janë të shumta, mirëpo për ne dhuna nuk ka arsyetim.”, është shprehur ajo.

Sa i përket gjendjes dhe rolit në temat ku janë të prekura gratë, ajo thekson që RrGK në vazhdimësi është duke i monitoruar rastet e dhunës në familje, duke përfshirë këtu rastet e dhunës ndaj grave.

“Në të njëjtën kohë RrGK iu ndihmon grave të cilat përjetojnë dhunë në familje që e kontaktojnë organizatën tonë. Duke iu ofruar ndihmë juridike dhe referim te institucionet relevante.”, ka përfunduar ajo.

Së fundmi reagime të shumta ngriti vendimi për uljen e dënimit të Pjetër Ndrecajt, burrit që vrau bashkëshorten e tij, Valbona Marku dhe vajzën e tyre të mitur.

Dënim edhe më të vogël për vrasjen e bashkëshortes së tij, mori Nebih Berisha.

Ai për vrasjen e Zejnepe Bytyqi u dënua me 12 vjet burg, për çka edhe pati protesta nga Rrjeti i Grave të Kosovës, të cilat protestuan para Pallatit të Drejtësisë duke kërkuar dënimin maksimal për dorasin.

Një rast i rëndë i tentimvrasjes ndodhi po ashtu javë më parë në Komunën e Skenderajt, ku burri dyshohet se theri me thikë gruan e tij, vepër të cilën iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

/Gazeta Sinjali/