image Aksioni kundër kontrabandës/ Krejt çka ndodhi sot në veri të vendit

Siguri

Aksioni kundër kontrabandës/ Krejt çka ndodhi sot në veri të vendit

news image

Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion në rajonet e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Përderisa në rajonet tjera aksioni është zhvilluar pa probleme, në rajonin e Mitrovicës së Veriut ka pasur protesta, bllokim të rrugëve e gjuajtje me armë zjarri, transmeton Gazeta Sinjali.

Policia ka njoftuar se në Mitrovicën e Veriut grupe kriminale janë grumbulluar në mënyrë të organizuar dhe kanë bllokuar rrugët me mjete transportuese.

Sipas policisë protestuesit kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, kanë gjuajtur me granata dore e armë zjarri, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve policore dhe doganorë në cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare.

Policia ka deklaruar se pas veprimeve të protestuesve, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e nevojshme ligjore me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion dhe qytetarëve.

“Referuar situatës së krijuar, rrezikimit të drejtpërdrejt të zyrtarëve, bllokimeve të rrugëve, përdorimit të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të armëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit/zjarrvënies së automjeteve zyrtare, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion, qytetarëve në atë zonë dhe krijimit të mundësisë së lëvizjes e qarkullimit të lirë”, ka bërë të ditur policia.

Gjatë këtij aksioni janë arrestuar tetë persona, gjashtë prej të cilëve janë shqiptarë, një serb dhe një boshnjak.

Personat e arrestuar në këtë aksion janë: R. K. (1957) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Pejës, A. K. (1979) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Prishtinës, M.N. (1990) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,  I.Z. (1982) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu, A.D. (1995) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu, M. Dz.(1958) mashkull kosovar/boshnjak nga rajoni i Mitrovicës Veri, I. H. (1975) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës Veri dhe M. L. (1978) mashkull kosovar/serbe nga rajoni i Mitrovicës Veri.

Po ashtu, pas tensionimit të situatës, të lënduar kanë mbetur gjashtë zyrtarë policor dhe një qytetar.

“Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani janë raportuar se (6) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre (5) zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe (1) i nacionalitetit serb. Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar”, shkruhet në njoftim.

/Gazeta Sinjali/