Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një operacion sot kundër krimeve kibernetike, ku janë arrestuar tre persona.
“Tre të arrestuarit, B.J.(1999), L.S.(1999) dhe Y.O.(1996), dyshohen për përfshirje në veprën penale “Hyrja në sistemet kompjuterike’ dhe ‘Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit'”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Policia e Kosovës.
Raportohet se gjatë kontrollit në shtëpitë e tyre në Gjakovë dhe në Prishtinë janë gjetur prova të ndryshme të cilat lidhen me rastin, shkruan Gazeta Sinjali.
“Ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë kryer në vazhdimësi veprat e cekura më lart me qëllim të përfitimit personal, vjedhjen e të dhënave të kartelave bankare dhe llogarive tjera të ndryshme, pastaj këto të dhëna i shitnin përmes ueb faqeve të ndryshme”, thuhet në komunikatë.
Policia e Kosovës ka sekuestruar disa kompjuterë, telefona, veturë, IPAD, CD dhe USB. Ndërsa, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit dërgohen në mbajtje për 48 orë./Gazeta Sinjali/