Policia e Kosovës së bashku me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë dhënë detaje pas zhvillimit të aksionit policor në disa qytete, ku u arrestuan shtatë persona, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, ka bërë të ditur se operacioni i quajtur “Stuhia” është zhvilluar në Ferizaj, Gjilan, Prishtinë Lipjan, Shtërpcë.
“Kemi aplikuar masa të fshehta të hetimit për disa persona konkretë, masat kanë nisur nga muaji nëntor i vitit 2020…Pas përfundimit të zgjerimit të hetimeve, dje kemi bë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj për të na lëshuar urdhëresë për bastisjen e disa lokacioneve. Njësia Rajonale e Hetimeve kanë aplikuar këtë operacion të quajtur “Stuhia”, në Ferizaj, Gjilan, Prishtinë Lipjan, Shtërpcë, dhe ka arrestuar disa persona për kontrabandim me armë. Bëhet fjalë për 7 persona të arrestuar”, tha Jashari.
Po ashtu, Policia ka njoftuar se në këtë aksion janë sekuestruar një sasi e armëve dhe municionëve.
“Granatë hedhës dore -3 copë, mbushës granat-hedhës, armë të gjatë, armë gjuetie, municion të kalibrit 7, pesë arka të mëdha me fishekë, 8 karikatorë të mbushur…Mjete për pastrimin e armëve, kondakë, telefonë, laptopë, pranga…etj”, njoftoi Policia.