Policia e Kosovës ka arrestuar 5 persona në Prizren të dyshuar për organizim të paligjshëm të bixhozit.
Siç njofton policia të dyshuarve u janë konfiskuar dëshmi të kësaj veprimtarie siç janë 3 kutia me 1561 zhitona të lojës Poker, 2 kompjuterë Llap-top, 3 shtëpiza të kompjuterëve, 7 telefona, një diviar, një printer për tiketa të bastoreve sportive, 16 tiketa të bastoreve, shkruan Gazeta Sinjali.
“Janë arrestuar 5 (pesë) të dyshuar meshkuj K/Shqiptar gjatë ekzekutimit të një urdhërese, në kontrollimin e katër lokaleve në Prizren, që dyshohet se bëhet organizimi i paligjshëm i skemave piramidale të bixhozit.”, thuhet në raportin e policisë.
Pas kontrollit lokalet janë mbyllur si dhe me vendim të prokurorit kujdestar, dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa 3 të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Viti, ku policia ka kontrolluar dy lokale e në njërin prej tyre janë gjetur qipa të pokerit.
Policia bën të ditur se nuk ka persona të arrestuar dhe se rasti është duke u hetuar.
“Gjatë hetimeve policore janë identifikuar dy lokale të cilat dyshohet se ushtrojnë veprimtari të kundërligjshme të lojërave të fatit. Në lokalin e parë nuk është gjetur asnjë e dyshimtë ndërsa në lokalin e dytë janë gjetur dhe konfiskuar dy paketime me qipa të lojës së pokerit. Rasti është duke u hetuar, nuk raportohet për të arrestuar”, thuhet në njoftimin e policisë. / Gazeta Sinjali/