Një shpërthim masiv u regjistrua pasditen e kësaj të marte në kryeqytetin e Libanit, Bejrut. Si pasojë e këtij shpërthimi kanë humbur jetën 67 persona dhe kanë mbetur të plagosur 2500 persona.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 17:30 me orën lokale dhe tronditi disa pjesë të kryeqytetit të vendit dhe një re tymi e dendur ka mbushur qendrën e tij.
Sipas njoftimeve shpërthimi ishte përqendruar pranë portit të Bejrutit duke sjellë për pasojë shkatërrim në shkallë të gjerë e duke copëtuar dritare që ndodheshin disa kilometra larg si dhe shumë ndërtesa të tjera.
Disa stacione televizive lokale raportuan se shpërthimi ndodhi në portin e Bejrutit brenda një zone ku magazinoheshin eksplozivë por nuk dihen ende shkaqet e shpërthimit.
BBC shkruan se spitalet janë të mbushur me persona të plagosur ku shumë prej tyre janë në gjendje kritike për jetën. /GazetaSinjali/