Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së bashku me Policinë e Kosovës mbrëmë kanë kryer një aksion për mbikëqyrjen e masave antiCOVID në rajonin e Prishtinës, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një prononcim për Sinjalin, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka bërë të ditur se janë shqiptuar 37 gjoba ndaj lokaleve që kanë shkelur masat antiCOVID. Ai tha se gjobat janë nga 200 deri në 2 mijë euro.
“Mbrëmë në Regjionin e Prishtinës Inspektorati Sanitar i AUV-it bashkë me Policinë e Kosovës gjatë kontrolleve për mbikëqyrje të zbatimit të masave antiCOVID sipas Vendimit të Qeverisë 01/07 kanë shqiptuar 37 gjoba juridike për lokalet e gastronomisë të cilat nuk kanë krijuar kushte për respektim të masave antiCOVID, ruajtje të distancës dhe për shkelje të orarit të punës, në të cilin parashihet që operatorët ekonomik lejohet të punojnë vetëm deri në ora 22:00”, tha ai për Sinjalin.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se është mbyllur një lokal nate, pasi që ishte duke punuar pas orarit të paraparë.
“Një lokal nate është mbyllur, ka qenë duke punuar pas orarit. Kontrollet strikte do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim për të mbajtur në kontroll situatën me pandeminë. Ftojmë qytetaret dhe bizneset të tregohen të kujdesshëm në respektim të masave. Nëse dëshirojmë që ekonominë ta mbajmë të hapur dhe situatën me pandeminë ta mbajmë në kontroll, respektimi i masave është e vetmja mundësi”, tha më tej Thaçi./Gazeta Sinjali/