image Afër 12 mijë raste të vjedhjeve brenda 3 vitesh në Kosovë

Siguri

Afër 12 mijë raste të vjedhjeve brenda 3 vitesh në Kosovë

news image

Numri i rasteve të vjedhjeve për tri vjetët e fundit ka shënuar rritje sipas statistikave nga Policia e Kosovës.

Zyra për Informim ka konfirmuar se kanë ndodhur 11 mijë e 759 vjedhje në mbarë vendin. Ndërsa ka pasur gjithsej 862 tentativa për vjedhje.

Njohësi i sigurisë, Avni Islami ka thënë se numër kaq i madh i vjedhjeve po ndodh ngase Policia e Kosovës nuk po arrin me kohë në vendin e ngjarjes.

Sipas tij, një nga arsyet e vonesës së Policisë është mungesa e logjistikës dhe automjeteve sidomos në qytetet jashtë Prishtinës.

“Kemi parë në përfundim të vitit të kaluar edhe në fillim të këtij viti rastet e vjedhjes dhe të plaçkitjes me armë zjarri, ku në të shumtën e rasteve kanë kaluar me lëndime trupore, e për fat të mirë nuk kemi pasur raste të vdekjes. Mënyra e kryerjes së veprave penale të plaçkitjes çoftë të shtëpive private apo bizneseve afariste vërehet një profesionalizëm i vjedhësve, atyre që janë duke i kryer këto vepra penale dhe mënyra e kryerjes dhe shpejtësia e kryerjes është jashtëzakonisht e madhe dhe në këtë rast Policia e Kosovës nuk po arrijnë në kohën e duhur dhe në shpejtësinë e duhur. Mendoj se Policia e Kosovës duhet ta marrë më seriozisht dhe të ngrejë dilemat e veta dhe t’i analizojë arsyet”, ka thënë ai.

Ai për EO ka theksuar se vjedhjet po kryhen nga persona të moshës së re, duke filluar nga 16 deri në 24-vjeç, për shkak të gjendjes sociale dhe papunësisë sidomos gjatë pandemisë.

Ndërsa për parandalimin e kësaj dukurie Islami ka thënë se Kosovës i duhet zhvillim i hovshëm ekonomik në mënyrë që rinia mos të merren me dukuri negative./GazetaSinjali/