Presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit, Agim Ademi, ka reaguar pasi Policia e Kosovës nuk lejoi klubin serb të Crvena Zvezdës të zhvillonte ndeshje në territorin e Kosovës.
Ademi në një deklaratë për media ka shpejguar arsyet se përse autoritetet kosovare nuk kanë lejuar klubin e Crvena Zvezdës të hyjë në Kosovë për të zhilluar një ndeshje zyrtare me një skuadër nga Mitrovica Veriore.
“Ne kemi qenë në dijeni për tentimin për ta zhvilluar këtë ndeshje, të cilën e kemi kundërshtuar qysh nga fillimi dhe kemi kërkuar nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë ta përkrahin vendimin tonë për të mos e lejuar Crvena Zvezdën të hyjë në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Ademi më tutje ka thënë se asnjëherë nuk do të lejojnë zhvillimin e ndeshjeve zyrtare të Serbisë në Kosovë.
“Ne kemi qenë gjithmonë për promovimin e sportit dhe kemi lejuar organizimin e ndeshjeve bamirëse dhe atyre miqësore, mirëpo asnjëherë nuk do ta lejojmë zhvillimin e ndeshjeve zyrtare të Serbisë në Kosovë, sepse është kundër statutit tonë dhe të UEFA-s. Për ne është e rëndësishme që të mos lejohet zhvillimi i ndeshjeve të tilla në territorin e Kosovës”, u shpreh ai./Gazeta Sinjali/