Polici i lënduar rëndë gjatë aksionit të mbrëmshëm në Zhur të Prizrenit, po vazhdon të mjekohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Përkundër lajmeve se polici së shpejti pritet të dërgohet për shërim jashtë vendit, një vendim i tillë nuk është marr ende.
Këtë për Gazetën Sinjali, e ka konfirmuar drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, i cili ka thënë se ende nuk është bërë një kërkesë e tillë.
“Nuk është bërë ende kërkesa për transferim jashtë vendit. Është Konsiliumi brenda Oftalmologjisë që do ta vlerësojë se në rast që ka nevojë për trajtim më specifik edhe më të avancuar, atëherë veç jemi të gatshëm të gjithë institucionet”, ka thënë fillimisht ai për Gazetën Sinjali.
Më tutje, ai ka treguar që një kërkesë e tillë mund të bëhet gjatë ditës së nesërme nëse e vlerëson Konsiliumi i mjekëve brenda reparti.
“Nesër pritet të bëhet Konsiliumi, është bërë edhe sot, por nesër pritet të merret vendimi”, ka thënë ai.
Mbrëmjen e djeshme një polic mbeti i vdekur dhe dy të tjerë u lënduan rëndë, si pasojë e një shpërthimi në një shtëpi në fshatin Zhur të Prizrenit. I gjithë incidenti ndodhi teksa policët po kryenin bastisje në një rast për narkotik. I lënduar ka mbetur edhe një fëmijë i të dyshuarit, i cili është arrestuar nga Policia e Kosovës./Gazeta Sinjali/