Zbulohen të tjera raste të prekurish me Koronavirus në NBA. I fundit është lojtari i Boston Celtics, Marcus Smart. Lajmi e bëri të ditur vetë skuadra më e titulluar në NBA, nëpërmjet një komunikate, por pa e zbuluar fillimisht emrin e basketbollistit të dalë pozitiv.
Gjithsesi, Smart postoi një mesazh në Twitter, ku shprehej se ishte prekur nga virusi, por nuk kishte simptoma të sëmundjes. Ditët e fundit, Smart iu nënshtrua një kontrolli, pasi kishte patur kontakte me një tjetër lojtar të NBA-së, i cili kishte rezultuar pozitiv.
Edhe te Lakers kanë rezultuar dy lojtarë me Koronavirus (ishin përballur në takimin e fundit me Nets, ku dolën katër raste), por skuadra nga Kalifornia nuk ka preferuar të zbulojë identitetin e tyre. Te raste të tjera janë zbuluar në stafet teknike të Philadelphia 76ers e Denver Nuggets.