image 3 ditë nga shpërthimi i gypit të ujit në lagjen "Mati 1", ujësjellësi ende nuk ka bërë asnjë intervenim
[wp-story id="814678"]

Sociale

3 ditë nga shpërthimi i gypit të ujit në lagjen “Mati 1”, ujësjellësi ende nuk ka bërë asnjë intervenim

news image

Ka disa ditë që një gyp i ujit ka shpërthyer në rrugën “Konstandin Kristoforidhi” në lagjen “Mati 1” në Prishtinë, por që deri tani, banorët ankohen se ujësjellësi nuk ka intervenuar, raporton Gazeta Sinjali.

Një banore e kësaj rruge ka shkruar në grupin “Banorët e lagjes MATI” dhe ka njoftuar se e kanë kontaktuar ujësjellësin, por që deri tani nuk kanë marrë përgjigje dhe as nuk është bërë ndonjë intervenim.

Ndërsa një banor tjetër i kësaj pjese ka thënë se që uji që po del nga ky gyp është futur brenda garazhës së tij, duke i shkaktuar dëme materiale.

Madje, sipas tij, uji po kalon edhe në kabllon kryesor të rrymës në trafon e objektit.

“Është papërgjegjësi e madhe e KUR Prishtina! Të premten dy herë i kemi njoftue, prapë sot kërkova urgjent me intervenue se uji qe tre ditë po na hynë në garazha dhe kalon ne kabllin kryesor të rrymës në trafo të objektit. Shërbimet e KUR Prishtina janë katastrofë”, ka shkruar ai.

Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” i kanë thënë Gazetës Sinjali se arsyeja se pse nuk është intervenuar deri tani ka qenë fakti se këto tre ditët e fundit ka pasur jashtëzakonisht raste të shumta të intervenimeve në rrjetin e ujësjellësit.

Mirëpo, nga kjo ndërmarrje premtojnë se ekipet do të dalin shumë shpejt në vendin e ngjarjes.

“Tre ditë e fundit, ka pasë jashtëzakonisht raste të shumta të intervenimeve në rrjetin e ujësjellësit. Ekipet e mirëmbajtjes dhe operimit pas pak, e kanë në plan të shkojnë dhe të shohin atë rast, që më pas të intervenojnë aty. Pra, shumë shpejt dalin në vendngjarje”, thuhet në përgjigjen e ujësjellësit për Gazetën Sinjali./Gazeta Sinjali/