Gazeta Sinjali raportoi sot për arrestimin e një të riu nga Drenasi, i cili pasi u raportua në Polici si i rrëmbyer, rezultoi se e kishte inskenuar vetë gjithë ngjarjen. Rasti u zbulua pas denoncimit të nënës së të riut, nga fshati Nekoc i Drenasit, e cila njoftoi Policinë se dikush ia ka rrëmbyer të birin. Për të gjurmuar rastin dhe zbuluar rrethanat e ngjarjes, Policia është vënë menjëherë në veprim për të hetuar rastin.
Sipas informatave të para, Njësia e Hetimeve rajonale ka arritur të lokalizojë vendndodhjen e të riut që u ‘rrëmbye’ dhe nuk dihej asgjë për fatin e tij. Sinjali mëson se i riu A.G., i moshës 20-vjeçare u gjet në parkun e qytetit në Malishevë.
Njësia policore ka bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, ku ka sekuestruar edhe disa prova materiale, në mesin e të cilave edhe një shirit ngjitës, me të cilin dyshohet se i riu ka lidhur veten dhe ka bërë fotografi, të cilat më pas ia ka dërguar nënës për të ia ‘dëshmuar’ se e kanë rrëmbyer, raporton Gazeta Sinjali.
Në bazë të veprimeve hetimore që ka ndërmarrë Policia, rasti është inskenuar nga 20-vjeçari i cili ngarkohet me veprën penale “lajmërim apo kallëzim i rremë”.
Policia ka shoqëruar të dyshuarin në stacion policor, ku pas intervistimit, Prokurori i Krimeve të Rënda ka urdhëruar ndalimin e tij prej 48 orësh.