image 17-vjeçari në Suharekë 'i hyn dru' babait të tij, e bën për spital

Siguri

17-vjeçari në Suharekë ‘i hyn dru’ babait të tij, e bën për spital

news image

Nuk janë të rralla rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. E një rast i tillë është raportuar sot rreth orës 18:00 në rrugën ‘Skënderbeu’ në komunën e Suharekës, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se një baba 58-vjeçar e ka denoncuar djalin e tij 17-vjeçar në Polici, pasi që dyshohet se ky i fundit e sulmoi fizikisht.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, si pasojë e një fjalosjeje të çastit në oborrin e shtëpisë së tyre, 17-vjeçari e ka goditur me një copë druri në fytyrë babanë e tij.

Si pasojë e lëndimeve që mori, 58-vjeçari u detyrua që të kërkojë ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë e më pas është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Prindi i cili u sulmua nga djali i tij, lidhur me rastin e lajmëroi edhe Policinë.

Me të marrë informatën, njësitet policore kanë arritur që ta arrestojnë 17-vjeçarin i cili u shoqërua në Stacion Policor për t’u intervistuar për gjithë atë çfarë ngjau në oborrin e shtëpisë së tij.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 24 orësh dhe ndaj tij hapet rasti ‘Lëndim trupor’.

/GazetaSinjali/