image 17 persona të plagosur nga 24 vjeçari i veshur si Joker në trenin e Tokios

Botë

17 persona të plagosur nga 24 vjeçari i veshur si Joker në trenin e Tokios

news image

17 persona kanë mbetur të plagosur nga sulmi i një 24-vjeçari i veshur si personazhi Joker nga komiket Batman në një tren në Tokio gjatë mbrëmjes së djeshme.

Viktimat janë plagosur teksa po shkonin për festat e Halloween në qytet.

Në pamjet e publikuar shihen pasagjerët duke vrapuar nëpër vagona larg flakëve dhe duke u ngjitur nga dritaret e trenit.

Mendova se ishte një marifet për Halloween”, tha një dëshmitar për gazetën Yomiuri për sulmin. “Pastaj, pashë një burrë që ecte në këtë rrugë, duke tundur ngadalë një thikë të gjatë.”

Sulmi ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00 me orën lokale pranë stacionit Kokuryo, në periferinë perëndimore të qytetit. 

Dëshmitarët kanë thënë se i dyshuari kishte veshur një kostum ngjyrë vjollce dhe jeshile të ndezur, raporton BBC, përcjell Gazeta Sinjali.

Mediat raportojnë se 24-vjeçari është arrestuar nga policia dhe ai u tha atyre se donte të vriste njerëz në mënyrë që të dënohej me vdekje.

Sipas gazetës Kyodo, ai i tha policisë se e adhuronte personazhin Joker në komiket e Batman.

Agjencia e lajmeve AP, duke cituar Departamentin e Zjarrfikësve të Tokios, njoftoi se tre nga të plagosurit kishin plagë të rënda.

Sipas raportimeve një i moshuar ishte pa ndjenja pasi u godit me thikë në sulm.

Shunsuke Kimura, e cila filmoi një nga videot, i tha transmetuesit kombëtar NHK se skena ishte “e tmerrshme”. “Dyert e trenit ishin të mbyllura dhe ne nuk e kishim idenë se çfarë po ndodhte dhe u hodhëm nga dritaret”, tha ai.

Krimi i dhunshëm është i rrallë në Japoni, por ka pasur një numër sulmesh me thikë të profilit të lartë në vitet e fundit. /GazetaSinjali/