image ​Sindikata e Infermierëve paralajmëron protestë para Klinikës së Kirurgjisë

Shëndetësi

​Sindikata e Infermierëve paralajmëron protestë para Klinikës së Kirurgjisë

news image

Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë të Kosovës do të mbajë të mërkurën një protestë, në shenjë pakënaqësie për mosrritje të pagesës së ndërrimeve të natës, në shumën prej 300 eurosh.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit Organizativ për protesta, i cili përmes nënshkrimeve mori mbështetjen e mbi 700 infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë brenda SHSKUK/QKUK-së.

Sindikata e Infermierëve kujton se inicimin e procedimit të Ligjit për Paga është munduar ta rregullojë përmes dialogut, por këto kërkesa kanë mbetur pa u shqyrtuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Nëse edhe këtë herë nuk do të ketë reflektim nga ana e institucioneve, Sindikata e Infermierëve të Kosovë në mbledhjen e radhës së kryesisë së sindikatës së bashku me këshillin organizativ, do të koordinohet për masa tjera sindikale të bazuara në Ligjin mbi organizimin sindikal, të cilat do të jenë më radikale”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, protesta e infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë të Kosovës do të mbahet të mërkurën duke filluar nga ora 12:00, para Klinikës së Kirurgjisë. /Gazeta Sinjali/