image ​Hyjnë në grevë 50 minatorë në horizontin e 11-të të Trepçës

Kosovë

Vendim/ ​Hyjnë në grevë 50 minatorë në horizontin e 11-të të Trepçës

news image

50 minatorë të rinj janë duke grevuar në horizontin e 11-të të minierës së Trepçës në Stan Terg, kjo për shkak se ka indikacione se konkursi i pranimit të tyre do të anulohet.

Lajmin e ka konfirmuar drejtori gjeneral i Trepçës, Bastri Ibrahimi.

Aktualisht në minierën e Stan Tergut ndodhet zëvendëskryeministri Haki Abazi dhe drejtori gjeneral, Bastri Ibrahimi, të cilët janë duke biseduar me minatorët e rinj për t’i bindur ata që ta ndërpresin grevën.

Greva ka nisur në ora 08:00 të mëngjesit dhe minatorët janë të vendosur të vazhdojnë grevën .

Është një grup tjetër i qytetarëve që kishin konkurruar në këtë konkurs dhe nuk janë pranuar, të cilët kanë protestuar për disa ditë para minierës së Trepçës. Ata javën e kaluar kanë pasur takim me kryeministrin Albin Kurti, i cili u ka premtuar anulimin e konkursit.

Gazeta Sinjali pak orë më parë ka raportuar se disa praktikantë të cilët kanë punuar për afro 1 vit e gjysmë kanë hyrë në grevë pasi është anuluar konkursi në “Trepçë”.

Miniera e Trepçës kohë më parë kishte pranuar një numër të fëmijëve të minatorëve të vdekur, si praktikantë.

Siç mëson Gazeta Sinjali këta minatorë janë paguar si praktikantë me pagë prej  500 euro. /Gazeta Sinjali/