Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar sërish shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, pasi sipas partisë së Albin Kurtit, qeveria aktuale e drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës është e paligjshme, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një postim në mediat sociale thuhet se zgjedhjet në SHBA janë një tregues tjetër për domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë.
“Qeveria e Grenellit, e zotimeve të një kryeministri të paligjshëm duhet të shkarkohet sa më parë. Vendit i duhet një qeveri e re, me legjitimitet të plotë për të dalë nga kjo krizë e shumëfishtë me të cilën po përballet vendi. Vendit i duhet Qeveria Kurti”, shkruan Vetëvendosje në Facebook.
Ndryshe, ish-partneri i Vetëvendosjes në Qeverinë Kurti, LDK-ja dhe kryetari i saj, Isa Mustafa janë shprehur kundër shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja. /Gazeta Sinjali/