image ​Përdoruesit e drogave trajtohen në Psikiatri, Kosova s’ka institut për trajtimin e varësisë

Shëndetësi

​Përdoruesit e drogave trajtohen në Psikiatri, Kosova s’ka institut për trajtimin e varësisë

news image

Në vetëm gjashtë shtretër sa posedon një repart i Psikiatrisë, po trajtohen përdoruesit e substancave narkotike. Personat me sëmundje të varësisë trajtohen në vendin e njëjtë me ata që kanë çrregullime mendore.

Gjatë këtij viti janë regjistruar 60 pranime, ku trajtimi i tyre ka zgjatur më shumë se 800 ditë. Për shkak të numrit të vogël të kapaciteteve, shumë herë pacientët trajtohen edhe në repartet ku nuk janë të paraparë për ata. Kosova nuk ka Institut për Trajtimin e Sëmundjeve të Varësisë, për çka po konsiderohet e domosdoshme.

Në kuadër të Klinikës Psikiatrike është një repart i veçantë, ku po trajtohen personat me sëmundje të varësisë. Kjo klinikë ka edhe katër reparte të tjera, por ajo ku trajtohen këto raste ka kapacitetet më të vogla.

Drejtori i Klinikës Psikiatrike, Faton Kutllovci, tregon se ka rritje të numrit të rasteve të përdoruesve të drogave që kërkojnë trajtim.

“Në kuadër të repartit për sëmundje të varësisë janë vetëm gjashtë shtretër. Nëse marrim në konsideratë nevojat e shtuara, sidomos viteve të fundit, po flas për vitin e fundit sepse në qoftë se ju intereson një trend i numrit të atyre që kanë kërkuar ndihmë në klinikën tonë, atëherë numri më i madh ka qenë gjatë vitit 2019, pastaj ka shënuar një rënie gjatë viteve të pandemisë 2020-2021 dhe ka shënuar rritje tani gjatë vitit 2022. Dhe deri më tani kemi të 812 ditë trajtimi, 60 pranime dhe kjo na paraqet telashe. Për shkak se i kemi vetëm gjashtë shtretër, kërkesa shumë të mëdha”, tregon ai.

Numër i madh i kërkesave për trajtim të detyrueshëm vijnë nga gjykatat. Personat e pranuar qëndrojnë deri në dhjetë ditë për detoksifikim.

“Jemi të detyruar shpesh herë që t’i trajtojmë këta pacientë në reparte të tjera, për shembull në repartin A, ku trajtohen personat me çrregullime mendore ose çrregullime psikotike, sepse edhe pacientët që abuzojnë me substanca psikoaktive, krahas edhe ankesave të tjera, ne nuk kemi një institucion me kapacitete më të mëdha. Më mirë me thënë Kosova ka shumë nevojë për institut për trajtimin e sëmundjeve të varësisë, sepse nevojat janë në rritje”, shton Kutllovci.

Ai shton se ndërtimi i Institutit për Trajtimin e Sëmundjeve të Varësisë duhet të jetë strategji kombëtare.

Nevojën për ndërtimin e këtij instituti, e konsideron të domosdoshme Safet Blakaj, i cili është drejtor i Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth” në Prishtina.

“Ne mendojmë që patjetër që është e nevojshme një institucion jashtë objektit të Klinikës Psikiatrike ku përdoruesit e drogave do të merrnin shërbimet e tyre më specifike. Nuk do të thoja që do të duhej të ishte për numër të madh të pacientëve, por sido që të jetë, të jetë qendër referente për trajtimin e përdoruesve të drogave, por edhe për përcjelljen e gjendjes së situatave të përdorimit të drogave në Kosovë”, shprehet Blakaj.

Qendra nuk ofron shërbim 24 orësh, por shërbime mjekësore, vizita psikiatrike e përkrahje psiko-sociale. Gjashtë muajt e parë të këtij viti, kanë regjistruar rritje të numrit të përdoruesve të drogave.

“Gjatë këtij viti që kanë marrë shërbim tek ne, numri është 212 përdorues të drogave. Këtu futet edhe një kategori, ku është një program të vazhdueshëm me methadone dhe të tjerat të cilat kanë kërkuar shërbime të tjera lidhur me problemin e varshmërisë së tyre…Ka rritje të numrit të përdoruesve të drogave, por ndryshime bëjnë llojet e drogave. Më parë, te viti 2014 ka qenë drogë kryesore heroina, prej vitit 2017 e posaçërisht në vitin 2019 e ekstremisht në këtë vit kemi rritje të shpejt të numrit të përdoruesve të kokainës. Natyrisht, marihuana është droga që më së tepërmi përdoret anë e kënd Kosovës”, tregon Blakaj për KP.

Lulkuqe Gashi nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës në Institucionin e Avokatit të Popullit, thotë se gjatë vizitave monitoruese kanë vërejtur se 50 për qind të rasteve që trajtohen në Psikiatri janë përdorues të substancave narkotike.

“Realisht nuk është vendi i tyre për tu trajtuar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, gati gjithmonë ka mungesë të kapaciteteve në këtë institucion. Për shkak se në repartin e Psikiatrisë vetëm një repart i veçantë për trajtimin e këtyre personave deri në dy javë për detoksifikim. Mirëpo, nuk kemi institucion të veçantë për trajtimin e personave që janë përdorues të substancave narkotike në Kosovë. Kjo i mungon Kosovës, realisht shpresoj që edhe në Ligjin për Shëndetin Mendor do të përcaktohet kjo pikë dhe të trajtohet kjo kategori e ndjeshme”, deklaron Gashi.

Në kuadër të ligjit të ri për shëndetin mendor, është paraparë edhe themelimi i një Instituti për Trajtimin e Sëmundjeve të Varësisë. Tashmë është formuar grupi punues për hartimin e koncept dokumentit për shëndetin mendor.

/GazetaSinjali/