image ​Kosova pa Strategji Sektoriale të Shëndetësisë, në MSh thonë se kanë krijuar grupet punuese

Shëndetësi

​Kosova pa Strategji Sektoriale të Shëndetësisë, në MSh thonë se kanë krijuar grupet punuese

news image

Kosova aktualisht nuk ka Strategji Sektoriale Shëndetësore, pasi ajo që ishte ka skaduar vitin që shkoi.

Por, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se tashmë kanë krijuar gupet punuese për hartimin e Strategjisë së re Sektoriale të Shëndetësisë dhe Planin e Veprimit.

Ndonëse e konsiderojnë dështim mos hartimin e kësaj strategjie, krijimin sa më të shpejtë të saj po e kërkojnë mjekët, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve dhe nga Komisioni parlamentar për Shëndetësi.

Përmes një përgjigje me shkrim për KP nga Zyra për informim e Ministrisë së Shëndetësisë kanë thënë se si dikaster në planin operacional kanë edhe strategji specifike dhe plane veprimi që janë aktive.

Strategjia Sektoriale Shëndetësore 2018-2021 ka shërbyer si dokumenti kryesor deri në fund të vitit që shkoi. Tashmë që ky dokument është konsumuar, është formuar grupi punues dhe nëngrupet specifike për hartimin e Strategjisë së re Sektoriale dhe Planin e Veprimit, që do të jetë një dokument më afatgjatë.

Në planin operacional, MSh ka planin vjetor të punës 2022 ku përfshihet edhe agjenda legjislative dhe dokumentet strategjike që do të miratohen këtë vit.

Ndërsa, për mungesën e Strategjisë Sektoriale Shëndetësore, Oda e Mjekëve të Kosovës fajëson tre ministrat që në vitet e fundit kanë udhëhequr me këtë dikaster.

Kryetari i OMK-së, Pleurat Sejdiu thotë se përkundër pandemisë ekspertët kanë pasur hapësirë që të punojnë për krijimin e Strategjisë së re Sektoriale, për të cilin vlerëson se pa të nuk mund të bëhet asnjë planifikim.

Edhe Sejdiu konfirmon se tashmë janë krijuar grupet punuese dhe po presin që së shpejti të nisin punën në këtë drejtim.

“Ne nuk kemi sistem, ne kemi shërbime shëndetësore por sistem shëndetësor nuk kemi. Me strategji duhet të krijohet sistemi dhe t’i jepet ngjyrimi i sistemit se shtetet serioze kur e krijojnë një sistem shëndetësor ato gjatë kushteve, qoftë ndërrimet politike që janë normale mund të devijojnë, por assesi të ndërrohet sistemi, kurse ne nuk kemi sistem”, u shpreh Sejdiu.

Nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) kërkojnë një Strategjie Sektoriale të Shëndetësisë afatgjate që do trasonte rrugën shëndetësore në Kosovë, ndërsa të domosdoshëm e konsiderojnë themelimin e një Bordi nga ana e Qeverisë së Kosovës, i cili krahas ndërtimit të strategjisë sektoriale do e bënte edhe mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së saj.

Kryetari i kësaj shoqate, Besim Kodra konsideron se aktualisht në sistemin shëndetësor në Kosovë po punojmë me kozmetikë të sistemit shëndetësor, dhe se një strategji e tillë do të krijonte mundësi që politika të mos ketë ndikim në sistem.

Ndërsa, Shemsedin Dreshaj, anëtar i Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, thotë se sektori i shëndetësisë është dashur qysh vitin e kaluar ta ketë të gatshme Strategjinë Sektoriale për katër vitet e ardhshme.

Deputeti i AAK-së konsideron se qasja e Qeverisë karshi shëndetësisë tregon se nuk mund të pritet për një strategji të mirëfilltë.

Në shkurt të vitit 2017, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Imet Rrahmani kishte lansuar Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2017-2021, e cila u konsiderua si dokumenti kryesor që përcakton drejtimin dhe qasjen strategjike afatmesme të zhvillimit të sistemit shëndetësor në Republikën e Kosovës.

/GazetaSinjali/