Albin Tahiri edhe zyrtarisht do ta përfaqësojë Kosovën në katër disiplina të garës me ski në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022, që nisin muajin e ardhshëm.
Tahiri, i cili është atleti i parë që e përfaqësoi Kosovën në Lojëra Olimpike Dimërore, ishte në kërkim të sigurimit të pjesëmarrjes edhe në garën e super sllallomit të madh.
“Është zyrtare tani, unë do të jem në gjendje të garoj në katër disiplina. Fatkeqësisht, nuk ia dola në super sllallom të madh”, njoftoi Tahiri.
32-vjeçari do të garojë nën flamurin e Kosovës në katër disiplina të garës me ski: lëshim, kombinim alpin, sllallom të madh dhe sllallom.
Ai u shpreh krenar që tani renditet në pozitën e 316-të në botë në garën e lëshimit, e cila ia mundëson pjesëmarrjen automatike në Pekin 2022.
“Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë në Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Federatën e Skitarisë së Kosovës për mundësinë që ma dhanë për të marrë pjesën në Lojërat Olimpike për herë të dytë. Do të përpiqem t’jua shpaguaj këtë me paraqitje sa më të mira”, shtoi ai.
Tahiri do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore për herë të dytë.
Lojërat Olimpike Dimërore do të mbahen nga 4 deri më 20 shkurt 2022 në Pekin të Kinës
Para dy vjetëve, Tahiri u bë sportisti i parë që e përfaqësoi Kosovën në Lojëra Olimpike Dimërore duke marrë pjesë në PyeongChang 2018 në Korenë e Jugut. /Gazeta Sinjali Sporti/