Është bërë një javë që kur institucioni me i lartë i sigurisë në vend, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka mbetur pa drejtues.
Kjo pasi ish-kreu i saj, Shpend Maxhuni dha dorëheqje të papritur nga pozita drejtuese në AKI.
Në anën tjetër sipas Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, në rastet si kjo e fundit, pozita e drejtorit të AKI-së duhet të plotësohet brenda 20 ditësh.
Burime brenda qeverisë në largim kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali se emërimi i drejtorit të AKI-së nuk pritet të ndodhë brenda kësaj jave, duke lënë opsionin e hapur se një gjë e tillë mund të ndodhë javën tjetër.
“Ndoshta javën në vazhdim”, ka thënë ky burim.
Shpend Maxhuni , ia paraqiti kryeministrit në largim, Ramush Haradinajt, aktin e dorëheqjes pas mbi një vit e gjysmë të emërimit në këtë detyrë.
Arsyet e dorëheqjes nuk janë bërë të ditura për publikun nga ana e Shpend Maxhunit, mirëpo një ditë më vonë, Ramush Haradinaj u tha gazetarëve se arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë shkaqet shëndetësore të Maxhunit, duke mos specifikuar se për çka saktësisht bëhet fjalë.
E ajo se çka mbetet ende e paqartë është nëse shefi i ri i AKI-së do të emërohet nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, së bashku me presidentin Hashim Thaçi, apo nëse ky person do të zgjidhet nga Qeveria e ardhshme e cila pritet të drejtohet nga Albin Kurti./Gazeta Sinjali/