image Zmajeviqit i konfirmohen 14 vjet burgim për krime luftë në Zhegër të Gjilanit

Kosovë

Drejtësi/ Zmajeviqit i konfirmohen 14 vjet burgim për krime luftë në Zhegër të Gjilanit

news image

Gjykata e Apelit në Mal të Zi i ka vërtetuar gjatë ditës së sotme, Vllado Zmajeviqit, dënimin me 14 vite burgim për krime lufte kundër civilëve në Zhegër të Gjilanit.

Gjykata e Apelit i kundërshtoi të gjitha ankesat e avokatit të shtetasit malazez, duke e mbështetur vendimin e Gjykatës së Lartë të Podgoricës.

Zmajeviq, ish-vullnetar dhe pjesëtar i ushtrisë jugosllave është dënuar për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në fshatin Zhegër afër Gjilanit në vitin 1999.

Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Apelit në Podgoricë i kanë pranuar provat në bazë të të cilave Zmajeviq fillimisht ka vrarë një bari sepse ai i është përgjigjur në gjuhën shqipe. I njëjti më pas ka vrarë edhe dy burra dhe një grua para shtëpisë së tyre.

Gjykatësi i rastit tha se në hetimin e parë Zmajeviq ka pranuar se i ka kryer këto vrasje, por gjatë procedurave gjyqësore i ka mohuar rrëfimet paraprake.

Në luftën e fundit në Kosovë, më 1998/1999 janë vrarë rreth 13,500 persona. Të pagjetur mbeten më shumë se 1,600 persona.