image Zjarri në Karaburun del jashtë kontrollit, ndërpritet puna e zjarrfikësve

Shqipëri

Zjarri në Karaburun del jashtë kontrollit, ndërpritet puna e zjarrfikësve

news image

Situata e zjarreve në kodrat e gadishullit të Karaburunit në Vlorë, ka vijuar edhe në ditën e tretë.

Lartësia e zjarrit ka arritur deri në tre metra, kurse era ka ndryshuar drejtimin, duke riaktivizuar vatrat e shuara gjatë mëngjesit.

Forcat zjarrfikëse kanë ndërprerë punën për momentin, pasi është e pamundur të ndërhyhet në këto kushte. Problematike paraqitet situata edhe në Tragjas, ku po punohet aktualisht, dhe ku harta e hapësirës së përfshirë nga flakët është zgjeruar për shkak të erës dhe temperaturave të larta. 

Tre vatra aktive masive raportohen edhe në Selenicë, në terrene të thella dhe të vështira.

Në një bilanc paraprak, ka mbi 200 hektarë tokë kullota dhe pyje të djegur. Aktualisht është e pamundur ndërhyrja nga ajri, pasi helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes janë në remont.

Aksioni i zjarrfikësve do të rinisë në mbrëmje dhe gjatë natës./Gazeta Sinjali/