Janë rihapur hetimet për zhdukjen e këngëtarit të Tallavasë Renato Hamzës, i njohur si “Reni i Elbasanit, i cili është shpallur i humbur prej vitit 2014.
Mësohet se rreth orëve të parë të mëngjesit të djeshëm (05:00 ), një grup prej 25 punonjësish të policisë dhe specialistëve të krimeve dhe mjekësisë ligjore, kanë kryer zhvarrosjen e një kufome që mbetet ende i paidentifikuar.
Kufoma u gjet vite më parë në një fshat të Librazhdit, ndërsa nga mbetjet kockore janë marrë kampione ADN-je, pasi ka dyshime të forta që ky trup mund t’i përkasë pikërisht Renato Hamzës, zhdukja e të cilit vijon të mbetet një enigmë edhe sot.
Me rihapjen e hetimeve, prokuroria e Elbasanit ka mundur të sigurojë indicie të reja, çka ka shtyrë që të marrë edhe vendimin për zhvarrosjen e trupit të gjetur dhe ende të paidentifikuar. “abcnews” raporton se ka dyshime të forta se këngëtari i muzikës tallava Renato Hamza, mund të jetë ekzekutuar nga një grup kriminal që operon në zonën e Shqipërisë së Mesme, pasi për të riun kanë pasur dyshime se mund të ketë qenë dëshmitarë i një ngjarje kriminale që ky grup kishte kryer.
Dyshohet se Hamza rastësisht është bërë dëshmitarë i ngjarjes kriminale të kryer nga ky grup dhe kjo dyshohet se ka qenë shkaku i rrëmbimit dhe më pas zhdukjes së tij. Mbetet ende e pakonfirmuar nëse trupi i gjetur disa kohë më parë në Librazhd dhe i paidentifikuar mund t’i përkasë Renato Hamzës.
Prej 29 Qershorit 2014, familja e këngëtarit të muzikës tallava Renato Hamza, nuk di asgjë për fatin e 21-vjeçarit në atë kohë nga Elbasani. Prej asaj dite këngëtari, i njohur ndryshe me pseudonimin “Reni i Elbasanit” nuk ka pasur asnjë kontakt me familjen e tij, nga momenti kur një telefonatë misterioze e nxori nga shtëpia ku jeton me prindërit dhe bashkëshorten 9-muajshe shtatzënë.