Një rol i konceptuar si kryesisht ceremonial ka marrë një peshë që i tejkalon vetë kompetencat e tij. Presidenti është kthyer në nyjën e krizës politike në Kosovë, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja, por pa garanci se ato do të prodhojnë zgjidhje.
Sipas vëzhguesve, vota mund të sjellë rezultat vetëm në një konfigurim të caktuar – përndryshe, rrezikon ta riprodhojë të njëjtën bllokadë që zvarritet prej muajsh.
Zgjedhjet e 7 qershorit janë fundi i një zinxhiri të gjatë dështimesh institucionale dhe politike: nga moszgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues dhe dekreti për shpërndarjen e Kuvendit, te vendimet e Gjykatës Kushtetuese, takimet pa rezultat mes udhëheqësve politikë, emrat e propozuar pa konsensus, bojkotimi i seancave dhe përplasjet e vazhdueshme pushtet-opozitë.
Për partinë deri tash në qeverisje, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka fituar mbi 51 për qind të votave, përgjegjësia për këtë bllokadë bie mbi opozitën, apo, siç e përshkruan udhëheqësi i saj, Albin Kurti, “bllokun opozitar”, i cili, sipas tij, ka vepruar në mënyrë të koordinuar kundër Vetëvendosjes.
“Të detyrosh një milion qytetarë të shkojnë sërish në kutitë e votimit, vetëm katër muaj pasi ata në mënyrë plebishitare e shprehën vullnetin e vet, që dikujt nuk i pëlqen… Këta duan ta përshtatin popullin sipas tekeve të tyre, por kjo është e pamundur”, ka thënë Kurti para mbështetësve të tij.
Nga këndvështrimi i opozitës së deritashme, Kurti, pavarësisht mandatit të fortë elektoral, ka shmangur kompromisin politik dhe ka zgjedhur përplasjen si mënyrë veprimi.
Sipas Bedri Hamzës, kryetar i PDK-së, partisë më të madhe opozitare, ai e ka shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të reja, me synimin për ta forcuar më tej pozicionin e Vetëvendosjes.
“Ai po kërkon nënshtrim, jo bashkëpunim. Po kërkon përkrahjen tonë jo për shtetin, por për pushtetin e tij. Jo për stabilitetin e vendit, por për stabilitetin e tij politik”, ka thënë Hamza përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet e tij sociale.
LDK-ja, si partia e tretë për nga fuqia, ka përcaktuar tashmë dy kandidaturat kryesore për garën e ardhshme: kryetarin e saj, Lumir Abdixhiku, si kandidat për kryeministër, dhe ish-presidenten Vjosa Osmani si kandidate për presidente, ndonëse kjo e fundit nuk është obligim kushtetues, pasi presidenti zgjidhet në Kuvend.
Por, në një proces zgjedhor që de facto është nxitur nga dështimi për zgjedhjen e presidentit, këto emërime kanë marrë peshë të shtuar politike.
Osmani, e cila në vitin 2021 ka garuar në listë të përbashkët me Kurtin, sot është e pozicionuar hapur kundër tij, pas prishjes së bashkëpunimit dhe mungesës së mbështetjes për mandatin e dytë presidencial.
“Ka një gjë që historia e këtij populli na e ka mësuar gjithmonë: rrugët e mbyllura nga frikacakët, gjithmonë hapen nga populli dhe është populli ai që e di të vërtetën”, ka thënë Osmani në një paraqitje para mbështetësve të saj.
Populli, në fakt, e percepton të vërtetën në mënyrën e vet.
Më 7 qershor, ai do t’u drejtohet kutive të votimit për herë të pestë brenda një viti e gjysmë, nëse përfshihen një palë zgjedhje të rregullta parlamentare, një palë të parakohshme dhe dy runde të zgjedhjeve lokale.
Në një situatë – në dukje të ngjashme – Osmani ka qenë edhe në vitin 2021, atëkohë ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës. Ajo i është bashkuar garës zgjedhore në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje të Kurtit, duke synuar postin e presidentes, ndërsa Kurti atë të kryeministrit.
“Sot dhe për katër vjetët në vijim, por edhe përtej këtyre katër vjetëve, ne jemi të vendosur për të luftuar në mënyrë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, për të ndërtuar një shtet që prioritetizon arsimin dhe shëndetësinë, mbrojtjen e mjedisit dhe mirëqenien e secilit dhe secilës nga ju, duke siguruar një rimëkëmbje ekonomike të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe inovative”, ka thënë Osmani më 14 janar 2021.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!