Ka filluar mbledhja e Komitetit për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se është e domosdoshme që në mënyrë të rreptë të respektohen masat nga qytetarët, distanca e të vendosen maskat, pasi ka rritje të rasteve të infektimit.
Zemaj ka thënë se vaksinat anti-COVID nga COVAX pritet të arrijnë këtë muaj, ndërsa ka shtuar se nuk do të marrë vaksina nga Serbia e Rusia, përkundër presionit.
“Jemi për të diskutuar për situatën që tregon se këtë javë ka rritje të rasteve me infektim. Në vlerësim të masave apelojmë tek qytetarët për respektim. Në situatën që ndodhemi është e domosdoshme që në mënyrë të rreptë të respektohen të gjitha masat, distanca e të mbahen masat. Humbja për ne nuk është opsione, shpëtimi i sa më shumë jete do të jetë e përbashkët dhe ne nuk do të ndalemi. Duhet të vazhdojmë me këtë disiplinë deri në pritjen e vaksinës që do të ndihmojë në eliminimin e COVID-19. Ata që kanë pasur të na furnizojnë me vaksina në shkurt e bartën në mars. Jemi të vetëdijshëm edhe për presionin e qytetarëve për vaksina, sidomos të qytetarëve serbë. Nuk do të marrim vaksina nga Serbia e Rusia edhe përkundër presionit nga vendet tjera të rajonit. Kjo na bënë që të avancojmë në sigurimin e vaksinës”, ka thënë Zemaj.
Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka thënë se situata javët e fundit tregon rritje të rasteve 26.6 për qind, ndërsa edhe rritje të rasteve të vdekjes për 23.6 për qind.
“Kemi rritje të rasteve pozitive e po ashtu edhe të vdekjeve. Kemi pasur edhe rritje të testimeve”, ka thënë Ramadani.
Ai ka thënë se janë në pritje të regensave me të cilët mund të bëjnë detektimin e të gjitha varianteve të reja të COVID-19.
E drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se situata në spitale paraqitet e menaxhueshme, por me një tendencë rritje.
“Situata në spitale dhe klinika të QKUK-së paraqitet e menaxhueshme, por me një tendencë në rritje në ditët e fundit. Nga mesi i javës së kaluar ka rritje të pacientëve. Mbi 500 persona janë duke marrë trajtim në klinika e spitale”, ka thënë Krasniqi.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë që të vazhdohet me kategorizimin e komunave në bazë të numrit të infektuarve, pasi e ka parë atë si të suksesshme.