image Zbulohen detaje të reja për laboratorin e drogës në Suharekë, krejt çka u sekuestrua

Siguri

Zbulohen detaje të reja për laboratorin e drogës në Suharekë, krejt çka u sekuestrua

news image

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se hetimet për operacionin anti-drogë në Shirokë të Suharekës, kanë nisur më 4 shkurt. Ky operacion rezultoi me gjashtë persona të arrestuar dhe konfiskimin e drogës në vlerë prej 1 milion e gjysmë, shkruan Gazeta Sinjali.

Katër prej të arrestuarve janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetas të Kosovës, të cilët dyshohen se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ndërkohë, nga ky aksion janë gjetur rreth 32 kg narkotikë të llojit marihuanë, 2 mijë e 59 bimë të mbjella në saksi, të cilat janë konfiskuar, si dhe narkotikë që kanë qenë të përgatitura dhe të gatshme për shitje.

“Laboratori ku janë gjetur narkotikët i ka pasur të gjitha pajisjet e nevojshme për kultivimin e bimës së kanabisit si: ndriçimin e posaçëm, sistemin e ujitjes, sistemin e ajrosjes, peshore, qese, si dhe sasi të konsideruar të dheut të vendosura në thasë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Nga ky aksion janë sekuestruar:

– Tre (3) automjete të markave BMW, Ford dhe Opel Zafira;

– Gjashtë (6) celularë;

– Para të gatshme në shumë prej 2185.29 euro, 313 denar maqedon;

– Një (1) DVR; dhe

– Një (1) llaptop.

Po ashtu, lidhur me këtë rast hetimet do të vazhdojnë, ndërsa për të arrestuarit nga prokurori i çështjes është lëshuar vendimi për ndalim 48 orësh.

Ndërkaq, burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se pronari i mullirit ku është hasur laboratori është Milazim Voci. Ai është kapur në flagrancë bashkë me 5 të dyshuar të tjerë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/