image Zbulohen detaje nga përplasja e kancelarit gjerman me Putin për rastin e Kosovës

Botë

Zbulohen detaje nga përplasja e kancelarit gjerman me Putin për rastin e Kosovës

news image

Takimi mes presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe kancelarit gjerman Olaf Schloz nuk kaloi pa tensione për mospajtimet mes tyre për një temë të vjetër me të cilën Putin përpiqet të godas NATO-n dhe Perëndimin. Kjo temë është bombardimi i “RFJ”-së, në vitin 1999, për shkak të Kosovës.  Kancelari Scholz në këtë takim ka thënë  se NATO në atë kohë reagoi për të parandaluar gjenocidin.

Tensionet nisën kur kancelari gjerman, derisa ka folur për Ukrainën ka thënë se “lufta në Evropë është bërë e pamundur për gjeneratën time, dhe ne duhet të sigurohemi që kjo të mbetet kështu”.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar menjëherë Putin.

“Sa i përket luftës në Evropë, Kancelari federal sapo tha që njerëzit e gjeneratës së tij – dhe unë i përkas kësaj gjenerate – vështirë se mund ta imagjinojnë luftën. Natyrisht ai iu referua situatës rreth Ukrainës. Por, ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë të një lufte në Europë që e bëri NATO kundër Jugosllavisë. Një operacion i madh ushtarak i sulmit me raketa dhe bomba në një kryeqytet evropian, Beograd. Kjo u bë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit. Ky është një shembull fatkeq, por ai ka ndodhur”, ka thënë Putin.

Putinit ia ktheu përgjigjen kancelari gjerman, duke shtuar se është i lumtur që gjithçka po zhvillohet në mënyrë paqësore.

“Dua të theksoj se situata në Jugosllavi ka qenë diçka më ndryshe. Kishte rrezik dhe kërcënim për gjenocid dhe kjo është dashur të parandalohej. Jam shumë i lumtur që atje tash gjithçka po zhvillohet në mënyrë paqësorë dhe se vendet e Ballkanit kanë gjetur të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian. Kjo është një shenjë pozitive”.

/GazetaSinjali/