Janë shpeshtuar rastet e mashtrimit dhe joshjes së klientëve nga biznese të ndryshme në Kosovë. Sinjali ka raportuar vazhdimisht për rastet kur produktet janë vënë në zbritje, mirëpo në arkë klientët e kanë paguar çmimin që ka qenë para zbritjes.
Një rast i ngjashëm i ka ndodhur edhe një personi tjetër, i cili e ka denoncuar rastin se është mashtruar në marketin Viva Fresh Store në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë.
Sinjalizuesi në adresë të Sinjalit është ankuar se pijet që ai ka blerë në market kanë kushtuar 30 centë më shtrenjtë se çmimi që është i reklamuar afër pijeve.
Pijet që ky sinjalizues i ka blerë në arkë i kanë kushtuar nga 1.25 euro, ndërkaq në rafte çmimet kanë qenë 0,95 euro.
Si dëshmi sinjalizuesi i ka dërguar çmimet në foto, ku shihet se nuk janë të njëjta.