20-vjeçarja M.H., e cila u ndalua bashkë me Nuredin Dumanin natën e arrestimit të tij, ka marrë masën e sigurisë detyrim paraqitje 2 herë në javë nga Gjykata e Elbasanit. Ndërsa shoku i tij, Henrik Hoxhaj është lënë në burg. Ky i fundit akuzohet për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Ndërsa Hajdini akuzohet për përkrahje të autorit të krimit. Gjatë seancës, 20-vjeçarja nga Kosova ka deklaruar se bashkëjetonte prej një viti me Dumanin në Gjilan, dhe se ajo e njihte me emrin Ardit Spahiu. Sipas dëshmisë së saj, prej 2 javësh kishin ardhur në Shqipëri, por ajo nuk kishte dijeni për të shkuarën e Dumanit.
Ndërkohë, të dielën do të shqyrtohet edhe masa e sigurisë për mjekët të cilët u arrestuan pasi mjekuan Dumanin natën e arrestimit të tij, por nuk lajmëruan autoritetet. Mbi ta rëndojnë akuzat e moskallëzimit të krimit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Të premten, Gjykata e Posaçme njohu me masën e sigurisë “arrest në burg” Nuredin Dumanin, të marrë në mungesë ndaj tij. Seanca u bë në ambientet e Spitalit të Traumës, ku Dumani ndodhet pas plagosjes në atentatin e tri ditëve më parë, në Papërr. Në GJKKO, Dumani është dërguar si i pandehur për vrasjen e Dorian Shkozës, Anxhelo Avdisë dhe Besmir e Viktor Haxhia, ngjarje të ndodhura pranverën e vitit 2020, në Durrës.
Historia e Nuredin Dumanit
I kërkuari prej disa vitesh si një ndër personat më të rrezikshëm, fati e deshi që të arrestohej pasi dështoi një atentat për eliminimin e tij. Nuredin Dumani u prangos nga forcat RENEA, të cilat e gjetën në një apartament në lagjen “Apollonia” të Fierit. Në fakt, ndjekja dhe angazhimi i policisë kanë ardhur pas një atentati të dyshuar të dështuar ndaj Dumanit, në aksin rrugor Cërrik-Elbasan. Pikërisht nga këtu, mësohet se ka nisur ndjekja policore ndaj të shumëkërkuarit, i cili është ndaluar më pas në Fier, ku është gjetur i plagosur me armë zjarri.
Arrestimi i Dumanit pritet të sqarojë disa ngjarje kriminale, ku ky person dyshohet se ka qenë i implikuar drejtpërsëdrejti. Duke nisur që në grabitjen e bujshme në pistën e aeroportit të Rinasit të disa miliona eurove dhe për të pasuar me vrasjen e katër personave në Durrës, si dhe ekzekutimin në Elbasan të Bujar Çelës, vëllait të një prej ish-bashkëpunëtorëve të Dumanit, Talo Çelës, shkruan A2CNN.
Edhe prokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi pranoi faktin se arrestimi i Dumanit pritet t’i japë një dinamikë të re hetimit të disa dosjeve, jo vetëm në Prokurorinë e Elbasanit, por edhe në prokurori të tjera të vendit.