Koordinatori Nacional i Kosovës për Siguri Kibernetike, Zafir Berisha, ka reaguar pasi që u akuzua se “jokompetenca” e tij për këtë pozitë, ka qenë faktor për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, raporton Gazeta Sinjali.
Ai thotë se nuk mund ta ruajë çdo institucion me “snajperin” e tij të luftës.
“”Hajni i shtëpisë’, sipas mendimit tim, nuk mund të quhet ‘sulm kibernetik’ sepse, sipas asaj që deri në këto momente është publike, vjedhja e më shumë se 2 milionë eurove në ministrinë e znj.Bajrami, po del të jetë bërë nga dikush brenda, i cili e ka shfrytëzuar ‘pauzën’ për të ndërhyrë nëpër fjalëkalime në sistemin e thesarit. Nëse unë jam koordinator Nacional për Siguri Kibernetike, nuk nënkupton se me ‘snajperkën’ time të luftës duhet t’i ruaj sistemet e ndjeshme të çdo institucioni”, ka shkruar ai.
Berisha thotë se detyra në të cilën është i angazhuar tani ka synim që Kosova urgjentisht të ketë Ligjin për Siguri Kibernetike dhe përmes tij të krijojë autoritet të veçantë për sigurime kibernetike.
“Vjedhja e 2 mil. € ndoshta edhe nuk është përgjegjësi direkte e ministres Bajrami. Por, çka mund të pritet tjetër kur emërohen persona jokompetentë si Zafa me u marrë me sigurinë kibernetike, kur krejt kjo vjedhje po del të jetë mundësuar nga lëshimet në sistemin elektronik të Thesarit? Nuk mundesh me emëru persona jokompetentë, e mos me mbajtë përgjegjësi”, ishte shkrimi i Agron Demit nga Instituti GAP, që nxiti reagimin e Berishës. /Gazeta Sinjali/