Përfaqësuesja e Kosovës sot do të zhvillojë stërvitjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri”, para ndeshjeve eliminatore të Kampionatit Evropian “Euro2020”.
Përzgjedhësi i “Dardanëve”, Bernard Challandes është përballur me probleme të shumta për këtë grumbullim për shkak të krizës me lëndime të futbollistëve bartës të skuadrës.
Tashmë, është e ditur se Challandes nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e Milot Rashicës, Arbër Zeneli, Hekuran Kryeziu, Benjamin Kololli dhe Herolind Shala.
Challandes të dielën (dje) mbajti konferencën e parë për shtyp në të cilën foli për këtë “kokëdhimbje”, por që sipas tij do t’ia dalin.
Kësaj liste i është shtuar edhe mesfushori Besar Halimi, i cili sot nuk do të paraqitet në stërvitje.
Burimet e sigurta të Insportit bëjnë të ditur se Halimi në pasditën e sotme do të udhëtojë për në Gjermani për të nënshkruar kontratë me SV Sandhausen.
SV Sandhausen bën gara në rangun e dytë të futbollit gjerman dhe pjesë e këtij klubi është edhe reprezentuesi tjetër i Kosovës, Leart Paqarada.
Mesfushori 24 vjeçar, tash e një kohë është pa klub pas shkëputjes së kontratës me klubin danez, Brondby.
Ai posa të kompletojë transferimin e tij në skuadrën gjermane, do të udhëtojë për në Kosovë për t’iu bashkuar përfaqësueses.
Kosova ndeshjen e parë do ta zhvillojë kundër Republikës së Çekisë më shtatë shtator në “Fadil Vokrri”, ndërsa më dhjetë shtator kundër Anglisë.