Xhamajka ende nuk ka marrë vendim rreth njohjes së Kosovës si shtet të pavarur.
Kjo është bërë e ditur zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Xhamajkës përmes një përgjigjeje zyrtare, transmeton Gazeta Sinjali.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme e Xhamajkës është në dijeni për raportimet publike rreth njohjes së Kosovës si shtet i pavarur. Çështjet si këto janë në rishikim të vazhdueshëm nga Qeveria e Xhamajkës. Sidoqoftë, deri më tani Xhamajka nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë çështje. Prandaj është për të ardhur keq që ka ndodhur një keqkuptim në lidhje me pozicionin e Xhamajkës”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.
Komunikata nga Xhamajka vjen pak orë pasi ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e thyeu heshtjen disa ditë pas skandalit me “njohjen” e vendit nga Xhamajka.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte raportuar i pari, përmes një njoftimi në rrjetin social Twitter, se ishte informuar nga Çitaku se Kosova ka siguruar njohjen nga shteti ishullor.
Por, pak orë më vonë, Xhamajka e kishte mohuar se ka vendosur për njohje./Gazeta Sinjali/