Granit Xhaka i ka dhuruar fanellën një tifozi shqiptar në turin parasezonal në Amerikë.
Arsenali zhvilloi ndeshjen e katërt parasezonale mbrëmë pas mesnate ndaj skuadrës së Orlandos, të cilën ‘Topçinjtë’ e fituan me rezultat 3-1.
Pas ndeshjes, Granit Xhaka nënshkroi një autograf për një vogëlush në fushë, teksa ai ia dhuroi fanellën një tifozi shqiptar i cili u pa me flamurin kombëtar, transmeton Sinjali Sport.
Videoja është postuar në storiet e faqes zyrtare të klubit në Facebook dhe Instagram.
Ishte kjo fitorja e katërt në po aq ndeshje të zhvilluara për londinezët në këtë parasezon, teksa turin në Amerikë do ta mbyllin me ndeshjen ndaj rivalëve të qytetit, Chelsea, më 23 korrik.
‘Gunners’ parasezonin do ta mbyllin me ndeshjen ndaj Sevillas më 30 korrik në Londër, në kuadër të Emirates Cup, përpara se të nisin kampanjën e Premier Ligës për sezonin 2022-23, me ndeshjen hapëse të edicionit që e zhvillojnë ndaj Crystal Palaces si mysafir më 5 gusht.