Bashkëpunëtori i lartë i Këshillit për Politikën e Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber, e ka vlerësuyar pozitivisht idenë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për ta hequr pjessërisht dhe gradualisht taksën prej 100% ndaj produkteve serbe dhe ka kritikuar emisarin e SHBA-së, Richard Grenell për qasjen e tij ndaj Kurtit.
Në një intervistë për “Kosovo Online”, Weber tha se vendimi i kryeministrit të Kosovës për ta pezulluar pjesërisht tarifën ishte gjest i vullnetit të mirë, ashtu siç tha vetë Kurti kur e prezantoi idenë e tij, transmeton Gazeta Sinjali.
Gazeta: Pas reagimit të Richard Grenell, shumë e konsiderojnë atë një përballje amerikano-gjermane? Si e shikoni?
Weber: Fakti që Kurti u sulmua nga i ashtuquajturi i dërguar, Grenell, në vend që ta mirëpresë një hap të guximshëm, tregon përsëri se Grenell, i cili insiston që ai është ekskluzivisht i përqendruar në ekonomi, as nuk e kupton thelbin e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, as dialogun politik, dhe as nuk ka qëllime të mira. Qasja gjermane, e mbështetur nga shumica në BE, është e bazuar në parime dhe është e përqendruar në një zgjidhje gjithëpërfshirëse. Në këtë kuptim, këtu nuk ka asnjë përfundim, por ekziston një konflikt transatlantik. Fakti që presidenti Vuçiq, në vend që të duartrokasë gjestin e kryeministrit Kurti, e hodhi poshtë haptas lëvizjen e Prishtinës, rithekson që qëllimi i tij fillestar nuk është të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan, por të përpiqet të shfrytëzojë unitetin e Perëndimit. Natyrisht, e njëjta gjë vlen edhe për presidentin Thaçi.
Gazeta: Cila mendoni se duhet të jetë lëvizja tjetër e Kurtit?
Weber: Unë nuk jam këshilltar i askujt, veçanërisht nuk jam politikan në Ballkan. Në përgjithësi, bisedimet për heqjen ose pezullimin e taksës duhet të rikthehen në kornizën para-ekzistuese para se bisedimet në qershorin e kaluar të binin në një mbarim, pas samitit gjermano-francez në Berlin në prill. Kjo kornizë nënkupton negociatat për rivendosjen e negociatave, d.m.th. një marrëveshje për të përcaktuar një kornizë të bisedimeve, duke filluar me përcaktimin e parimeve dhe qëllimin e negociatave. /Gazeta Sinjali/